
Kryeministri Rama ka vizituar ambientet frigoriferike te Instituti i Shëndetit Publik, ku po ruhen aktualisht dozat e para të vaksinës anti-Covid.
Kreu i ekzekutivit nuk ka kursyer ironinë për mirëmbajtjen e këtij laboratori nga paraardhësit e tij në qeveri.
“Praktikisht me atë depo që ishte këtu, vaksinat ishin në dorë të Zotit. Kishit një magazinë kooperative që fusnit mollët, dardhat”, tha kryeministri Rama.
Ndërsa ministrja Manastirliu tha se vendi ynë zotëron kapacitetet e zinxhirit ftohës për secilën nga vaksinat që do të vijnë në Shqipëri.
“Jemi në Depon Farmaceutike të QSUT, ku tashmë janë instaluar edhe frigoriferët -70°C që i kemi pasur, i kemi kolauduar dhe janë gati për të pritur serinë e vaksinave. Aktualisht, vaksinat e Pfizer që kemi janë në Institutin e Shëndetit Publik. Edhe aty, ruhen në kushte të standardeve ultra të ftohta -70 °C - -80 °C. Ndërkohë që këtu janë kapacitetet e tjera që ne kemi.
Në tërësinë e këtyre kapaciteteve, kapacitetet aktuale për temperaturën -70 °C janë për 250 mijë doza vaksine, në mënyrë të menjëhershme, për vaksinën e Pfizer. Dhe sigurisht dhe për llojet e ndryshme të vaksinave. Për ato të Modernas nëse do të na vijë -20 °C, kemi kapacitetet për të pritur 950 mijë doza njëkohësisht. Ndërsa, përsa i përket kapaciteteve që kemi frigoriferike për vaksinat e llojeve të tjera, pra ato që kërkojnë 2-8 °C kemi kapacitet për të pritur 7 milion doza”, tha Manastirliu. (A2 Televizion)