
“Ura e Zogut” është një nga më të veçantat për strukturën e saj arkitekturore.
Ura në të majtë të Rrugës së Kombit, ajo që daton prej vitit 1927 që kur u përurua nga mbreti Zog, ka lëvizur. Ky monument kulture, është spostuar rreth një metër dhe plasaritjet te traseja në anën veriore janë të dukshme.
Reshjet e vazhdueshme këtë janar, por sipas banorëve edhe shfrytëzimi pa kriter i lumit është bërë shkak i kësaj situate.
Alarmi për këtë situatë është dhënë prej kohësh, pasi monumenti kishte degraduar, por nuk u morën masa.
Gjatë ditës së martë, “Ura e Zogut” u inspektua nga afër nga përfaqësues të Drejtorisë së Kulturës Kombëtare në Shkodër dhe po shihet mundësia e ndonjë ndërhyrje për të shmangur shembjen e plotë të saj.
Ura është projektuar nga një inxhinier italian dhe pothuajse e gjithë baza materiale u soll nga italianët. Që nga viti 1999, “Ura e Zogut” është shpallur monument kulture që mbrohet nga shteti, por diçka e tillë ka munguar, pasi nuk është mirëmbajtur dhe kryer asnjë investim. (A2 Televizion)