
Ëndrra e Cristiano Ronaldos është padyshim fitorja e Botërorit, me shumë mundësi i fundit në karrierën e tij të jashtëzakonshme. Portugezi është ende plotësisht në garë për ta fituar, por edhe nëse Portugalia dështon në këtë objektiv, CR7 mund të plotësojë pothuajse çdo ëndërr tjetër, në qoftë se pranon një ofertë jo thjesht tunduese, por vërtet për t’u habitur.
Sipas së përditshmes spanjolle Marca, shumë e informuar mbi ish-yllin e Real Madrid, 37-vjeçari që momentalisht është i papunë pas prishjes së kontratës me Manchester United, ka marrë ofertën e ekipit saudit të Al-Nassr.
Marrëveshja duket në fazë të avancuar, me portugezin që mendohet të firmosë një kontratë për 2 vjet e gjysmë. Padyshim, Ronaldo nuk u bind nga performancat e Arabisë Saudite në Botëror, që arritën të mundin edhe Argjentinën e rivalit Messi, por nga rroga pothuajse e pabesueshme.
Mendohet që CR7 do të marrë rreth 200 milionë euro për sezon, praktikisht 500 milionë euro gjatë gjithë kontratës. Një shifër gjigante për çdokush, por jo për princin saudit bin Selman i cili dëshiron të rrisë cilësinë e atij kampionati, dhe padyshim ardhja e Ronaldos mund të tërheqë edhe kampionë të tjerë, të paktën ato në fazën përfundimtare të karrierës.
Ekipi Al-Nassr, ku luajnë sot emra të njohur si portieri Ospina dhe drejtohet nga ish-trajneri i Romës Rudi Garcia, është një nga klubet më të njohura të vendit, me 9 kampionate të fituara, si dhe një Champions League aziatike. (A2 Televizion)