Scholz takohet sot me Putin, Zelensky: 16 shkurti, dita e unitetit të Ukrainës

Nga A2 CNN
15 Shkurt 2022, 10:07 | Bota
Scholz takohet sot me Putin, Zelensky: 16 shkurti, dita e unitetit të

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, viziton sot Moskën, për bisedime me Presidentin Vladimir Putin, në përpjekjen më të fundit të Perëndimit për të bindur Kremlinin të zgjedhë diplomacinë mes përshkallëzimit të tensioneve në kufirin me Ukrainën.

Scholz, i cili më herët u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se nuk ka asnjë justifikim të arsyeshëm për aktivitetin ushtarak të Moskës në kufi. Kancelari gjerman, i bëri thirrje Rusisë të ndërmarrë hapa të menjëhershëm, për zbutjen e tensioneve dhe tha se Perëndimi ishte i gatshëm për dialog serioz.

“Ne jemi të gatshëm për dialog serioz me Rusinë për çështjen e sigurisë në Europë. Por ne presim që Moska të ndërmarrë hapa të qartë për të zbutur tensionet. Qëndrimi i Gjermanisë është se çdo akt agresioni kundër Ukrainës, do të ketë pasoja serioze politike, ekonomike dhe gjeostrategjike për Rusinë”, tha Kancelari.

Mes paralajmërimeve amerikane, se Rusia mund të sulmojë këtë javë, më 16 shkurt, sipas disa mediave të Perëndimit, presidenti Volodymyr Zelensky ka vendosur që ta shpallë në këtë datë, atë që e ka pagëzuar si ditën e unitetit. Lideri ukrainas i bëri thirrje popullit që të valëvisë flamuj dhe të këndojnë njëzëri Himnin Kombëtar. “Ata na thonë se 16 shkurti do të jetë dita e sulmit. Ne do ta bëjmë ditën e unitetit. Ukrainasit duhet të ngrenë flamujt dhe të këndojnë Himnin në 10 të mëngjesit. Le t’i tregojmë unitetin tonë botës”, tha ai.

I pyetur mbi referencën që bëri Zelensky lidhur me datën 16 shkurt, zëdhënësi i pentagonit, John Kirby tha: “Nuk do të diskutoj mbi një datë specifike, por se ka shumë mundësi që Putin të avancojë më shumë drejt Ukrainës, pa asnjë paralajmërim”.

Megjithatë, Pentagoni mendon se Putin mund të mos e ketë marrë ende vendimin përfundimtar. Rusia e mban të hapur derën e diplomacisë me Ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov, që tha të hënën se ka gjithmonë një shans për të arritur marrëveshje me perëndimin për Ukrainën. Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, tha se Uashingtoni, i cili ka kthyer në shtëpi shumicën e misionit diplomatik në Ukrainë, tha se do të zhvendosnin në qytetin perëndimor të Lviv edhe pjesëtarët e mbetur të stafit. Ai citoi rritjen dramatike të forcave ushtarake ruse në kufi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos