Apeli i GJKKO rrëzon Mahmutajn, s'i kthen pasuritë e konfiskuara

Nga A2 CNN
15 Qershor 2022, 11:38 | Kronikë
Apeli i GJKKO rrëzon Mahmutajn, s'i kthen pasuritë e konfiskuara

Gjykata e Posaçme e Apelit refuzoi t’i kthejë disa pasuri të konfiskuara deputetit të Partisë Demokratike, Kasëm Mahmutajt. Pasuritë e ligjvënësit janë konfiskuar nga Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme, si pasuri e personave të afërt të vëllait të deputetit, Gazmend Mahmutaj, pasuria e të cilit kaloi në filtrat e Operacionit Forca e Ligjit (OFL). 

Këtë të martë, treshja gjykyese e përbërë nga Nertina Kosova, Dhimitër Lara dhe Daniela Shirka vendosën të lënë të pandryshuar vendimin e Shkallës së Parë, që kaloi në llogari të shtetit pasuritë e tre vëllezërve Mahmutaj.

Kundërshtimi i konfiskimit në Apel u bë nga Gazmend Mahmutaj dhe vëllezërit e tij, Kasëm e Behar si persona të afërm, me pretendimin se pasuritë e bllokuara justifikoheshin në burime të ligjshme. Por, argumentet e paraqitura prej tyre nuk bindën Apelin. 

Pasuritë e vëllezërve Mahmutaj, përfshi dhjetë në të cilat deputeti ishte zotërues ose pjesëtar, u sekuestruan me kërkesë të SPAK në 25 shkurt të këtij viti. Sipas vendimit të gjykatës, janë 25 prona në total, në të cilat listohen disa apartamente, sipërfaqe trualli, biznese dhe automjete, të
cilat nuk justifikohen në burime të ligjshme financiare. 

Hetimi pasuror ndaj Gazment Mahmutajt, që u shtri më pas edhe tek familjarët e tij, nisi në zbatim të operacionit OFL. Mahmutaj, i njohur edhe si Eduardo Toska, rezultonte i dënuar nga Gjykata e Veronës në Itali, në vitin 1993, për akuzën e “shfrytëzimit të prostitucionit”, dënim i njohur në 8 vite burg nga drejtësia shqiptare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos