Sekuestrohet pasuri me vlerë 13 milionë euro në Lezhë

Nga A2 CNN
29 Korrik 2022, 15:41 | Kronikë
Sekuestrohet pasuri me vlerë 13 milionë euro në Lezhë

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën sekuestro preventive mbi mijëra metra katrorë truall në Lezhë, të përfituara nga aktiviteti kriminal, që kapin një vlerë rreth 13 milionë euro. Sipas burimeve pranë SPAK, rasti ka lidhje me dosjen “Volvo 4”, në kuadër të së cilës janë arrestuar disa persona, dhe kanë qenë të përfshirë edhe ish-deputetë të Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Arben Çuku.

Sipas njoftimit të SPAK, në sekuestro janë përfunduar:

1. Pasuria e paluajtshme e llojit “tokë arë”, me sipërfaqe 8000 m2, Ishull Lezhë.

2. Pasuria e paluajtshme e llojit “tokë arë”, me sipërfaqe 1148 m2, Ishull Lezhë.

3. Pasuria e paluajtshme e llojit “tokë arë”, me sipërfaqe totale prej 27,009.80 m2, me adresë në Mali Rencit, Lezhë.

4. Pasuria e paluajtshme lloji i pasurisë “tokë arë”, me sipërfaqe totale prej 30,663.70 m2, me adresë në Mali Rencit, Lezhë.

“Gjatë hetimit të këtij procedimi penal ka rezultuar se disa shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me zyrtarë shtetërorë, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara dhe veprimeve të tjera të  kundërligjshme, kanë përfituar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe prej 66 000 m2 tokë në disa zona bregdetare në Lezhë, me një vlerë prej rreth 13 milion euro. Këto prona kanë rezultuar se janë produkt i veprave penale të përshkruara më sipër”, thotë SPAK.

Hetimet lidhur me këtë procedim penal vazhdojnë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos