Sekuestrohet sasia historike e fentanilit në vendlindjen e El Chapos, shkaku kryesor i vdekjeve nga mbidoza në SHBA

Nga A2 CNN
9 Korrik 2022, 17:46 | Bota

Më shumë se gjysmë toni fentanil, një drogë e fortë me bazë opiumi që përdoret edhe për anestezi, u sekuestrua në Sinaloa, vendlindjen e trafikantit më famëkeq të Meksikës, Joaquin El Chapo Guzman.

Sasia e sekuestruar u konsiderua historike nga autoritetet vendase. Në operacionin disaditor mori pjesë edhe Garda Kombëtare dhe Ushtria meksikane. “543 kilogramë, sasia më e madhe e fentanil e sekuestruar në Meksikë”, tha zv.sekretari Sigurisë Publike, Ricardo Mejia për mediat. Sasia e kapur arrinte vlerën e 230 milionë dollarëve.

Gjatë operacionit u arrestuan 10 persona, si dhe u sekuestruan edhe 555 kilogramë metamfetaminë, 41 kilogramë kokainë dhe 7 kilogramë heroinë.

Drogat sintetike, si fentanili, kanë qenë shkaku kryesor i vdekjeve nga mbidoza në Shtetet e Bashkuara. Sipas ekspertëve, qoftë edhe 2 miligramë fentanil mund të shkaktojë vdekjen, pasi kjo drogë është 100 herë më e fortë se morfina. Më shumë se gjysma e fentanilit që kontrabandohet në SHBA kalon nga Meksika.

Ndërkohë, në anën tjetër të kufirit, në San Diego, Policia amerikane sekuestroi 2200 kg metamfetqaminë, që vinte nga Meksika. Gjatë operacionit, u arrestuan 4 meksikanë nga Tijuana, të cilët e kishin fshehur drogën në një kamion. “Kjo është një tjetër goditje ndaj karteleve të drogës”, tha agjenti special i DEA-s Shelly S. Hoëe. Sipas CDC, në vitin 2020, 23 mijë amerikanë humbën jetën nga mbidoza e psikostimulantëve, kryesisht metemfetamina. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos