
Polonia ishte ndalesa e radhës në Europë për presidentin amerikan, Joe Biden. Për ta pritur atë në aeroportin e Zheshof nuk doli homologu, Andrzej Duda, për shkak të një defekti me avionin e tij që bëri një ulje të detyruar në Varshavë.
Pa humbur kohë, Biden vizitoi trupat amerikane të stacionuara në lindje të Polonisë, fare pranë kufirit me Ukrainën.
Ai shijoi disa momente pikante duke konsumuar ushqim, pije dhe duke shkrepur disa fotografi me celular dhe shkëmbyer batuta, përpara se t’i kthehej seriozitetit.
“Nuk dua të dukem shumë filozofik, por ju jeni në mes të një lufte mes demokracive dhe oligarkëve”, deklaroi presidenti amerikan.
Vizita është pjesë e misionit të tij për të garantuar përforcimin e kahut lindor të NATO-s teksa Rusia vijon sulmin e saj ndaj Ukrainës.
“Bota nuk do të jetë e njëjtë, jo për shkak të Ukrainës, nuk do të jetë e njëjta 10, 15 vjet nga tani për sa i përket strukturave tona organizative. Pyetja është, kush do të mbizotërojë? A do të mbizotërojë demokracia jonë dhe vlerat që ne ndajmë? Apo do të mbizotërojnë autokracitë?”, shtoi ai.
Pas disa orëve vonesë, presidenti polak Duda i ubashkua homologut amerikan Biden në një takim dhe me liderët e organizatave humanitare. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se i vjen keq që nuk mund të kalojë kufirin për në Ukrainë, pasi nuk e lejojnë, për të parë nga afër krizën humanitare dhe vuajtjet e miliona refugjatëve që kërkojnë t’i shpëtojnë mizorive dhe luftës.
“Gjëja e vetme më e rëndësishme që ne mund të bëjmë është t'i mbajmë demokracitë të bashkuara në opozitën tonë dhe përpjekjet tona për të kufizuar shkatërrimin që po ndodh nga duart e një njeriu për të cilin unë sinqerisht mendoj se është një kriminel lufte - dhe mendoj se ai do të përballet me ligjin për këtë”, tha Biden.
Biden pritet që gjatë të shtunës të mbajë një fjalim të rëndësishëm në Varshavë Poloni për të siguruar një “të ardhme të rrënjosur në principet demokratike”. (A2 Televizion)