Qindra serbë janë grumbulluar sërish përpara selisë së komunës në Zveçan, për të marrë pjesë në protestën e radhës kundër kryetarëve të rinj të komunave që u zgjodhën në muajin prill, në një proces ku nuk morën pjesë partitë serbe.
Sipas raportimeve, në protestën e sotme ka një pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve serbë, krahasur me një ditë më parë.
Serbët kanë shpalosur një flamur kombëtar gjigant para godinës së komunës, e cila është rrethuar këtë herë nga KFOR-i me një gardh me gjemba.
Ndërkohë, ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, deklaroi për mediat vendase se situata e sigurisë në veriun e Kosovës është shumë e rrezikshme.











Ai fajësoi sërish autoritetet e Kosovës si nxitëse të tensioneve dhe rikonfirmoi se ushtria e Serbisë është e gatshme të kryejë çdo detyrë.
“Ushtria e Serbisë është e gatshme të kryejë çdo detyrë, ndërsa, nga aspekti politik, Serbia e ka përcaktuar se cilat janë vijat e kuqe kur ajo gjendet në një situatë, në të cilën i kërcënohen interesat jetike kombëtare dhe shtetërore. Po flasim për, Zoti na ruajt, skenarë ku dikush vret serbë”, tha Vuçeviq. (A2 Televizion)