
NATO i shtrin dorën e bashkëpunimit Serbisë. Aleanca ushtarake pohoi për Radion, Evropa e Lirë, se nuk ka planifikuar asgjë specifike me Beogradin në muajt e ardhshëm, por mbetet e përkushtuar për një partneritet, në interes të stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Komenti i NATO-s erdhi pasi Serbia vendosi që për 6 muajt e ardhshëm të pezullojë të gjitha stërvitjet dhe aktivitetet ushtarake.
Vendimi erdhi pasi qeveria e Bjellorusisë raportoi se pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Ushtrisë së Serbisë do të marrin pjesë në stërvitjen e quajtur “Vëllazëria Sllave”, pjesë e së cilës është dhe Rusia.
Ky event mbahet në mes të këtij muaji. Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin tha se ky pezullim erdhi nga presioni i tmerrshëm dhe i pamerituar që Bashkimi Europian ia bën Beogradit zyrtar.
Ndërkohë, gjatë së enjtes, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun rus, Vladimir Putin, duke konfirmuar partneritetin mes vendeve. (A2 Televizion)