
Zbehet dita-ditës mundësia e një kalendari të plotë të garave për sezonin e ri të Formula 1. Nga 23 “Çmime të Mëdha” të projektuara, garat mund të reduktohen dhe shkak vazhdon të mbetet pandemia e koronavirusit.
Pas Australisë e cila aktualisht mbetet në kalendar si gara hapëse e sezonit, edhe Kina e ka në pikëpyetje zhvillimin “Çmimit të Madh të Shanghait", më 11 prill.
Vitin e kaluar, gara në vendin aziatik ishte e para që u anulua dhe diçka të tillë autoritet e këtij vendi po përpiqen ta shmangin duke kërkuar një shtyrje të garës për në vjeshtë. Nëse këto ndryshime konfirmohen, Botërori i ri i garave të shpejtësisë do të startojë për herë të parë nga pista e Bahreinit, më 28 mars. (A2 Televizion)