Sfilata e Chanel, trendi i fustaneve të gjata dhe kostumeve të stofit

Nga A2 CNN
6 Korrik 2022, 12:39 | Lifestyle

Drejtuesja kreative e Chanel, Virginie Viard, zgjodhi një mënyrë të thjeshtë të prezantimit të alta modës për sfilatën e vjeshtë-dimër, të shtëpisë franceze të modës të martën, duke sjellë një përzierje fustanesh të gjata me funde të plota dhe kostume stofi.

Marka e njohur ndërkombëtarisht zgjodhi një arenë kuajsh në periferi të Parisit, duke ndërtuar një skenë që luante me efekte optike dhe me modele gjeometrike që lëviznin në pjerrësi.

Shfaqja u hap me një projeksion të Pharrell Williams, me muzikë elektronike në sfond.

Kur kolona zanore papritmas kaloi në vokale qetësuese, doli një modele me flokë të valëzuar me një fund dhe xhaketë jeshile limon, duke nisur kështu sfilatën e linjës së modës. Modelet e tjera e ndoqën, duke bërë zig-zage përgjatë skenës, me pamje bezhë, rozë të zbehtë dhe tërësisht të zeza.

Xhaketat kombinoheshin me pantallona të gjera ose funde që mbështilleshin rreth kyçeve të këmbës, me xhepa dhe rreshta kopsash që vinin në dukje stofin e famshëm të shtëpisë, në modele të ndryshme, duke përfshirë vija.

Në mbyllje të spektaklit, u shfaq edhe nusja tradicionale me një fustan krejt të bardhë me duart e futura në xhepat e përparmë. Shfaqja e alta moda zgjat deri më 7 korrik në Paris. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos