Si e shohin analistët presidentin Meta dhe opozitën pas rezultatit të zgjedhjeve?

Nga A2 CNN
27 Prill 2021, 10:42 | Politikë
Si e shohin analistët presidentin Meta dhe opozitën pas rezultatit

Lidhur me pikëpyetjet që ngrihen pas zgjedhjeve, për sa i përket karrierës politike të kreut të demokratëve, Lulzim Basha, kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi apo presidentit Ilir Meta, gazetarja Fatjona Mejdini dhe analisti Aleksandër Çipa ndanë në studion e A2 CNN mendimet e tyre. Sipas gazetares Mejdini, kjo do të varet nga njohja apo mosnjohja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

“Ka disa pikëpyetje të mëdha sidomos me karrierën e Bashës, të shohim si do përshtatet, nëse do të pranojë humbjen, do të vijojë apo do të dorëhiqet. Është një çështje e demokratëve, logjikisht pas 8 viteve të një qeverisje në pushtet është përgjegjësi e madhe. Njohja ose mosnjohja e zgjedhjeve do të jetë përcaktuese”.

Për analistin Çipa ka disa alibi, pasi PD ka pasur rritje numerike në vota dhe mandate krahasuar me 2017-n, por ai thekson se kjo është beteja e fundit e marrëdhënies politike e bashkëjetesës së lidershipit të vjetër dhe të ri në PD.

“Zonja Kryemadhi ka paralajmëruar që nuk e jep dorëheqjen, Basha ka një situatë komplekse. PD ka disa alibi. Në rastin konkret ka më shumë vota nga ana numerike, edhe nga përfaqësimi në parlament ka më shumë, por mendoj që kjo betejë finale mund të konsiderohet si e fundit politike e bashkëjetesës së lidershipit të vjetër dhe të ri në PD”.

Sa i takon të ardhmes së presidentit Meta, Mejdini thekson se mund të ketë largim ose dorëheqje të tij

“Varet nëse do t’i pranojë apo jo? Është interesante të shihet se çdo ndodhë me Metën, është afër fundit dhe e ka ezauruar atë që mund të bënte si president dhe për hir të së vërtetës nuk e bëri. Mund të kemi dorëheqje apo largim të Metës si president. Mazhoranca ka pasur një nismë për shkarkimin e tij duhet parë nëse do e çojë deri në fund”.

Për Aleksandër Çipën presidenti nuk largohet nga rruga e konfliktit politik. Ai e sheh atë në kryesimin e partisë që themeloi vetë dhe të pamundur për krijimin e një force të re politike.

“Antagonizëm i shpallur edhe gjatë periudhës zgjedhore. Presidenti nuk largohet nga rruga e konfliktit politik me shumicën aktuale, mundësia e dorëheqjes është më e pranueshme dhe vijimësia e karrierës së tij politike në protagonizmin dhe kryesimin e partisë që ai vetë themeloi. E shoh më të pamundur në një subjekt të ri në këtë moshë që ka”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos