
Në emisionin Debat me Alba Alishanin në A2 CNN, ku u diskutua për gjuhën e politikanëve shqiptarë, specialisti i komunikimit, Erlis Çela, u shpreh se deputetët në Kuvend nuk e shikojnë fatin e tyre të varur nga qytetarët, mjafton që ata të bëjnë një performancë të mirë para liderëve të partisë.
“Kjo lloj gjuhe vjen për faktin se politikanët në Shqipëri, për fat të keq, nuk e shikojnë të varur fatin e tyre me atë që mendojnë qytetarët. Nëse do ta kishin shqetësim se si do të perceptohej kjo nga qytetarët dhe se si do të ndikonte kjo në vendimmarrjen e tyre, kam përshtypjen që nuk do të silleshin në atë formë. Mënyra se si njerëzit promovohen në politikë në Shqipëri dhe marrëdhënia që ata krijojnë me elektoratin e tyre dikton këtë lloj sjellje.
Ata nuk janë të shqetësuar se çfarë qytetarët kuptuan nga buxheti, nuk ekziston kjo marrëdhënie. Ata nuk e lidhin suksesin e tyre me faktin se si do t’i vlerësojnë qytetarët. Karriera e tyre është e varur nga liderët për shkak të sistemit që kemi. Mjafton që performanca e tyre të jetë e pëlqyer nga lideri i partisë, të tjerat nuk kanë rëndësi.
Gjatë seancave plenare, ata janë të shqetësuar t’i bëjnë thirrje emocionit të njerëzve dhe jo logjikës. Kjo është rruga më e shkurtër për të bindur”, u shpreh Çela. (A2 Televizion)