Sharje dhe shishe kokës, pezullohet ndeshja Tërbuni – Turbina pas goditjes së gjyqtarit

Nga A2 CNN
1 Prill 2023, 19:34 | Futboll

Episodet e dhunës në futbollin shqiptar duket se nuk kanë të ndalur. Këtë herë incidente të rënda, ku viktimë e dhunës kanë rënë arbitrat, ka ndodhur në ndeshjen mes Tërbunit dhe Turbinës, takim, i cili është pezulluar.

Sfida mes Tërbunit dhe Turbinës është pezulluar në minutat shtesë të saj, pasi gjyqtari ka vendosur në bashkëpunim me delegatin që sfida nuk mund të vazhdohej më si pasojë e dhunës ndaj tyre.

Por, çfarë ndodhi?

Në minutën e fundit të ndeshjes, kur rezultati ishte 1-1-, vijërojtësi Xhuljo Mani nga kolegjiumi i Tiranës, ka anuluar një gol të skuadrës vendase. Situatë e cila ka sjellë vërshimin e sendeve të forta nga tribuna, një prej të cilave ka goditur gjyqtarin anësor, i cili më pas është rrethuar edhe nga lojtarët vendas që protestonin furishëm.

Ndeshja është ndërprerë dhe gjyqtarët kanë shkuar menjëherë në dhomat e zhveshjeve. Aty, janë thirrur kapitenët e të dy ekipeve dhe u është komunikuar se ndeshja do të pezullohej në minutën e 93-të nga 9 shtesë të akorduar nga kryesori në fund të kësaj sfide të rëndësishme për mbijetesën për të dy skuadrat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos