
Një ish-anëtari i ushtrisë amerikane i mbajtur në një burg rus që prej vitit 2019 është liruar ditën e mërkurë në një shkëmbim të të burgosurve mes dy vendeve.
Zyrtarët amerikanë dhe rusë konfirmuan se ish-marinsi Trevor Reed është tashmë duke udhëtuar me avion drejt SHBA.
Në këmbim, Ministria e jashtme e Rusisë siguroi lirimin e Konstantin Yaroshenko, një shtetas rus i burgosur për kontrabandë droge.
Në një reagim për këtë ngjarje, familja Reed tha në një deklaratë se më në fund lutjet e tyre morën përgjigje. Ata thanë se marinsi do ta bënte historinë e tij publike pasi të trajtonte problemet me shëndetin që ishin përkeqësuar nga kushtet e këqija në burgun rus.
30-vjeçari Reed shkoi në Moskë në vitin 2019 për të mësuar rusisht dhe për të vizituar të dashurën e tij ruse. Ai u ndalua nga dy oficerë policie pasi kishte marrë pjesë në një festë, ku kishte konsumuar alkool. Teksa po udhëtonte për në komisariat, ai mësohet se sulmoi efektivin e policisë duke e bërë atë të devijonte në mënyrë të rrezikshme dhe më pas goditi me bërryl oficerin tjetër që tentoi të ndërhyjë. (A2 Televizion)