SHBA e BE dënojnë kërcënimin e Osmanit

Nga A2 CNN
11 Korrik 2020, 16:45 | Kosova
SHBA e BE dënojnë kërcënimin e Osmanit

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë dhe shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova, kanë dënuar kërcënimin fizik ndaj kryetares së Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani të premten, nga një deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, ambasada amerikane thotë se kuvendi po humb kohe duke u shpërqendruar në sulme personale dhe retorika politike, dhe nuk po arrin të marrë përgjegjësinë për të zgjidhur krizën ekonomike dhe shëndetësore në vend.

Ndërkaq, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Apostolova, tha se dhuna nuk ka vend në shoqëri demokratike e sidomos ndaj gruas. “Parlamenti i Kosovës duhet të bëjë punë konstruktive që të ballafaqohet me sfidat që ka përpara. Të gjithë duhet të përkushtohen për konsensus politik dhe të përmbahen nga dhuna që nuk ka vend në shoqëritë demokratike, e sidomos në kuvend dhe ndaj gruas –  që është dhe kryetare e parlamentit”.

Seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën po diskutohej projektligji për rishikimin e buxhetit të Kosovës, të premten në mbrëmje, u ndërpre pas një përplasjeje verbale mes deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani. Ukaj u ngrit nga ulësja e tij, duke iu afruar Osmanit më tone kërcënuese. Kryeparlamentarja, më vonë, përmes një postimi në Facebook njoftoi se ka denoncuar rastin në Polici. Incidentin e kanë dënuar edhe përfaqësues politikë e organizata joqeveritare në Kosovë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos