
Kosova shënoi një tjetër rekord në shifrat ditore të pandemisë së koronavirusit. 214 raste të reja u konfirmuan në 24 orët e fundit, pas 413 testimeve të kryera, ndërsa viktimat ishin 4.
Në total, vendi numëron 86 humbje jetësh, ndërsa ka 1951 raste aktive me COVID-19. Kryeministri Avdullah Hoti e cilësoi situatën si serioze ndërsa tha se nevojitet rritje e ndërgjegjësimit qytetar.
Autoritetet shëndetësore thonë se situata në klinikën infektive është e rënde, me rritje të numrit të të shtruarve. Në 8 korrik, u njoftua se 270 persona po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në shtatë spitalet e përgjithshme.
Kosova ka rikthyer disa prej kufizimeve në përpjekjen për të frenuar pandeminë, dhe nga mbrëmja e së mërkurës masat u shtrinë edhe në 4 komunat veriore. Nga ora 21 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit, lëvizja nuk do të jetë e lejueshme.
Përkeqësimi i situatës pandemike detyroi Maqedoninë e Veriut të kufizojë hyrjen e shtetasve nga Kosova e vendet e tjera të rajonit, përveç Shqipërisë. Sipas vendimit të miratuar nga qeveria, do të duhet një test i koronavirusit për të kaluar kufijtë e vendit. (A2 Televizion)