SHBA: Rusia po përgatitet për luftë të gjatë në Ukrainë

Nga A2 CNN
11 Maj 2022, 09:24 | Bota
SHBA: Rusia po përgatitet për luftë të gjatë në

Vladimir Putin po përgatitet për një luftë të gjatë në Ukrainë. Shërbimet amerikane të zbulimit thonë se edhe një fitore e mundshme në lindje, me gjasë nuk do t'i jepte fund konfliktit. Paralajmërimi vjen ndërsa luftime të ashpra vijojnë në lindje të vendit, ku Moska po përpiqet të përvetësojë territor.

Putin e përqendroi ofensivën në rajonin e Donbas, pasi ushtria e tij dështoi të pushtonte kryeqytetin Kiev. Por pavarësisht kësaj, forcat ruse nuk po shënojnë përparim. Avril Haines, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës, tha para një komisioni të senatit amerikan se Putin nuk kishte hequr dorë nga objektivët e tij përtej Donbasit, por ka mospërputhje mes ambicieve aktuale dhe kapaciteteve konvencionale ushtarake.

“Një deri në dy muajt e ardhshëm të luftës do të jenë të rëndësishme pasi Rusia do të përpiqet të rigjallërojë përpjekjet. Por edhe nëse janë të suksesshëm, ne nuk mendojmë që lufta do të ndalet në Donbas. Ne vlerësojmë se Putin po përgatitet për një konflikt të gjatë në Ukrainë, gjatë së cilit synon ende të arrijë objektivat përtej Donbasit”, tha Haines. 

Sipas zyrtares së lartë të shërbimeve të zbulimit, presidenti rus po shpresonte që mbështetja e SHBA-së dhe BE-së për Ukrainën të dobësohej, me përkeqësimin e inflacionit, mungesës së ushqimeve dhe çmimeve të energjisë. Edhe pse ka rrezik që Putin t’i drejtohet mjeteve më dramatike ndërsa lufta vazhdon, inteligjenca vlerëson se Moska mund t’i përdorë armët bërthamore vetëm në rastin e një rreziku ekzistencial.

Ndërkohë, Kongresi amerikan miratoi të martën një paketë me vlerë 40 miliardë dollarë, e cila do t’i jepet Ukrainës në formën e ndihmave humanitare dhe ushtarake. Projektligji pritet të marrë miratim edhe në Senat para se të dekretohet nga Presidenti Biden. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos