Shehu: Europa nisi vaksinimin, ne nuk duhet të bazohemi te lëmosha

Nga A2 CNN
28 Dhjetor 2020, 10:48 | Politikë
Shehu: Europa nisi vaksinimin, ne nuk duhet të bazohemi te lëmosha

Tritan Shehu, ish-ministër i Shëndetësisë, u shpreh në një lidhje me “Ditari” në A2, se një vend anëtar i NATO-s nuk mund të bazohet te lëmosha sa i përket vaksinës ndaj koronavirusit.

“E gjithë Europa, dje nisi procesin e vaksinimit. Edhe në Maqedoni janë caktuar ditët e para të janarit. Në Shqipëri nuk kemi asnjë datë të saktë, asnjë kontratë, përveç një marrëveshje mirëkuptimi. Nuk kemi asnjë negociatë serioze me 3 prodhuesit”, tha ai.

Më tej, Shehu kritikoi qeverinë për mënyrën e menaxhimit të situatës, duke theksuar se Shqipëria është në krye të shteteve në botë për numrin më të lartë të mjekëve që kanë humbur jetën.

“Qytetarët duhet të respektojnë masat, maskën, distancën fizike, higjienës, por edhe shteti duhet të krijojë organizmat për të ndihmuar sistemin shëndetësor. Këtë detyrë shteti nuk po e bën, duke kërkuar gjithçka nga qytetarët. Ky është një shtet që ka dështuar totalisht në të gjitha këto drejtime. Jemi një nga shtetet me humbjen më të lartë të mjekëve në botë sepse nuk krijohen kushte. Nuk ka protokolle, nuk ka financime”, tha Shehu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos