Greqia dekretoi zgjerimin e ujërave territoriale, Rama: Nuk kemi çfarë kontestojmë

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2020, 17:14 | Politikë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale, lidhur me debatin e rikthyer rishtazi pasi Greqia dekretoi një ditë më parë zgjerimin e ujërave territoriale në detin Jon nga 6 në 12 milje detare.

Duke postuar disa foto të dokumenteve zyrtare të viteve 1990, Rama shkruan se Greqia po bën të njëjtën gjë që ka bërë dhe Shqipëria dhe për këtë arsye nuk kemi asgjë çfarë të kontestojmë.

“Jetojmë në shekullin XXI dhe në mes të Europës,ku nuk mund të "shiten" e "blihen" dot dete e territore as fshehurazi, as haptazi nga asnjë autoritet i veçantë! Këto mund të ndodhin vetëm në batakun e ligësisë e të injorancës,ku llumi i shqiptarisë gjen shesh për përsheshin e tij!

E drejta e 12 miljeve ushtrohet aty ku është e mundur dhe jo aty ku s'ka mundësi, siç është rasti në zonën mes nesh ku vija ndarëse do të vendoset me gjyq! Greqia e ka ushtruar këtë të drejtë së fundmi, fiks siç e ka ushtruar Shqipëria qysh në vitin 1990! Të tjerat janë dokrra!

Llumi nacional-folklorik i politikës shqiptare pa kufij, pa din e iman, është derdhur sërish në oqeanin digjital përmes shpifjes së madhe të "shitjes së detit" Greqisë! Këtë marrëzi ekstreme për përfitime politike mund ta besojnë vetëm ata që s'duan të dëgjojnë e as të kuptojnë!

Ja edhe dokumentet e vitit 1990 kur Shqipëria bëri fiks këtë që bëri Greqia sot dhe që është në fuqi sot e gjithë ditën në regjistrin e OKB! As pala greke s'kishte çfarë kontestonte atëherë, as ne s'kemi çfarë kontestojmë sot tek vendimi i Greqisë! Lëreni llumin në batakun e vet”, shkruan Rama në Twitter.

Dekreti presidencial për këtë çështje u miratua nga Këshilli i Shtetit grek, pas kontrollimit të ligjshmërisë.

Në të thuhet se, Greqia rezervon të drejtën të eksplorojë dhe shfrytëzojë burimet e ndryshme të kësaj Zone Ekonomike Ekskluzive, përfshirë prodhimin e energjisë nga uji dhe ajri. Dekreti do të nënshkruhet nga Presidentja e vendit dhe pas botimit në gazetën e qeverisë, ai do të shndërrohet në ligj shtetëror. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2020/12/25/miratohet-dekreti-greqia-zgjeron-ujerat-territoriale-me-12-milje-ne-jon/

A2 CNN Livestream

Latest Videos