Sheiku Haibatullah Akhundzada drejt emërimit si udhëheqës suprem i Afganistanit

Nga A2 CNN
2 Shtator 2021, 12:12 | Bota
Sheiku Haibatullah Akhundzada drejt emërimit si udhëheqës suprem

Pas tërheqjes së trupave të huaja, fillon të përvijohet e ardhmja e Afganistanit. Talebanët po përgatiten të emërojnë udhëheqësin fetar Haibatullah Akhundzada si autoritetin suprem të vendit. Sheiku do të ketë një titull të ngjashëm me atë të Ayatollah Khamenei, udhëheqësit suprem të Iranit. Mullah Abdul Ghani Baradar, bashkëthemeluesi i talebanëve, do të emërohet për të udhëhequr operacionet e përditshme të qeverisë.

Mediat italiane raportojnë se për të ndihmuar Akhundzada-n të përcaktojë zgjedhjet themelore të Afganistanit, me shumë mundësi do të ketë një lloj Këshilli të mullahëve, selia e të cilit duhet të jetë Kandahari, atdheu historik i shoqërisë Pashtun, ku talebanët u organizuan në një milici të armatosur nga Mullah Omar në 1994. Kryeqyteti politik do të mbetet Kabuli, ku figura kryesore do të jetë Mulla Abdul Ghani Baradar, një ish-luftëtar në luftën e shenjtë kundër sovjetikëve në vitet 1980 dhe krahu i djathtë i themeluesit të lëvizjes, Mullah Omar, i cili vdiq në 2013.

Ministria e Mbrojtjes ose e Jashtme do t'i caktohet Mullah Mawlawi Mohammad Yaqoob, i biri i Mullah Omar. Një vend është parashikuar gjithashtu për Sirajuddin Haqqani, eksponent i brezit të ri të një prej klaneve më militante që ka lidhje të lashta me inteligjencën pakistaneze.

Talebanët kanë identifikuar disa figura kryesore, të menduar me qëllim të njohjes ndërkombëtare, duke demonstruar se ata nuk duan të izolohen, por janë të gatshëm dhe të aftë të dialogojnë me fuqitë e tjera. Sidoqoftë, nuk ka asnjë grua të vetme midis këtyre figurave.

"Nuk do të ketë ministra femra. Të gjithë ata që kanë punuar me amerikanët nuk do të pranohen në qeverinë tonë", shpjeguan zëdhënësit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos