
Ishin përgatitur që të mos lejonin fadromat t’u prishnin shtëpitë, ende pa firmosur një kontratë.
Prej orëve të para të mëngjesit, banorët e 5 Majit nisën rezistencën ndaj policisë.
Përleshja u ndal sapo në përdorim u fut gazi lotsjellës. Kjo ishte panorama e pak minutave në bllokun e banesave që ishin vendosur të prisheshin të martën. Përballë kordonit të policisë, me lot dhe dëshpërim në fytyra, banorët ndoqën aksionin e IKMT.
Thonë se nuk e kundërshtojnë zhvillimin e zonës, por nuk dakordësohen me kontratat që u janë ofruar paraprakisht.
Disa prej shtëpive janë të legalizuara e disa të tjera në proces legalizimi, por fatin e kanë të njëjtë.
U bënë disa muaj protesta, por pas asnjë rezultat për ta.
Nëse nuk rishikohen kontratat, thonë se do të aplikojnë për azil përtej kufirit.
Në total, janë planifikuar të shemben 430 banesa në zonën e "5 Majit", truall i cili do t’i vihet në dispozicion shtetit për ngritjen e një lagjeje të re për afro 11 mijë banorë. (A2 Televizion)