
Kur është mbushur kuota e 20 ditëve karantine për qytetarët shqiptarë, duke përllogaritur se disa prej tyre e kanë respektuar seriozisht, duke mos pasur asnjë kontakt me botën e jashtme, përjashto një pjesë të detyruar të lëvizë, secili fillon e mendon, ndoshta edhe për shkak të panikut kolektiv, se si do t'ia dalë, si do t'ia dalim?
Sa e lehtë ose e thjesht është të menaxhojmë veten dhe rrethin, në dimensionin mental? Psikologia dhe hipnoterapistja klinike, Fleura Shkëmbi, foli në A2.
“Kur bie shi, një pjesë gëzohen se ka të mirat e veta, ndërsa disa ankohen. Gjithçka është në qasjen që ne e shohim këtë situatë. Në jetë ne kemi sfida të reja, këtë herë është koronavirusi.
Nuk po na ndodh vetëm ne, por kjo gjë ka kapur të gjithë botën. Ne nuk mund ta ndalim dhe duhet të qetësohemi. Ta shohim këtë situatë në aspektin pozitiv, kurrë nuk kemi pasur më shumë kohë për të qëndruar me familjen”.
Por çfarë duhet të bëjmë konkretisht për t’i kaluar sa më lehtë këto ditë? “Të rikthemi te vetja, të fillojmë me frymëmarrjen, me ushtrimet, pasi trupi i njeriut është bërë për të ecur. Kush ka mundësi të meditojë apo edhe të lutet, e cila është shumë e rëndësishme në këto momente. Përpiquni të komunikoni me njerëzit e afërt dhe njerëzit e dashur.
Është koha për t’u ngritur dhe të merremi me veten. Le ta gjejmë atë diamantin që të na japë siguri dhe energji për veten dhe njerëzit që kemi pranë”, theksoi psikologia. (A2 Televizion)