Këtë vit për shkak të pandemisë, numri i trupave teatrore është reduktuar, ndërsa shfaqjet do të mbahen në ambiente të hapura.
Edicioni i 22-të i festivalit ndërkombëtar të teatrove, Skampa, që organizohet në Elbasan është parashikuar që të ndryshojë plotësisht formatin e tij, ndikuar natyrisht nga kushtet dhe mënyra e re e jetesës për shkak të pandemisë së COVID-19.
Shfaqjet e trupave teatrore, do të zhvillohen në ambiente të hapura që përkojnë me vende kulturore dhe turistike të qytetit.

“Mendoj se dashje-padashje kjo provokon edhe një mundësi për të rritur dialogun ndërkulturor ne mjedisin qytetar elbasanas dhe për të promovuar sitet turistike” tha Adonis Filipi, organizator i festivalit.
Në këtë edicion do të jenë të pranishme 10 trupa teatrore nga vende të rajonit të cilat nuk kërkojnë kushte karantinimi të lëvizjes. Midis tyre është edhe trupa e Teatrit Kombëtar të Stambollit. (A2 Televizion)