
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të kërkojë më shumë armatime të rënda, gjatë fjalës së tij për liderët e shteteve të pasura të G7-s, më vonë gjatë ditës. Kërkesa do të vijë një ditë pasi Kievi dhe zona të tjera rreth Ukrainës u sulmuan me shi raketash, me pasojë vdekjen e të paktën 1 personi.
Në lindje, Rusia ka marrë kontrollin e plotë të Severdonetks dhe tani po shënjestron Lisicanksun e afërt. Në videomesazhin e fundit, Zelensky tha se vonesat në dërgimin e armëve ishin një ftesë për Rusinë që të vijonte sulmet. Ai kërkoi sisteme të mbrojtjes ajrore dhe sanksione të reja kundër Moskës.
“Partnerët duhet të veprojnë shpejt, nëse janë vërtetë partnerë dhe jo vëzhgues. Vonesat në furnizimet me armë janë një ftesë për Rusinë që të na sulmojë prapë. Pushtuesit, këta terroristë, duhet të munden me të gjithë fuqinë në mënyrë që të mos mendojnë se mund të shtypin dikë”, tha Zelensky.
Lufta në Ukrainë është në krye të agjencisë së samitit të G7-s që po mbahet në Gjermani dhe liderët pritet të premtojnë më shumë mbështetje ushtarake për Kievin dhe më shumë sanksione për Moskën.
Udhëheqësit perëndimorë po përpiqen të shfaqin një front të bashkuar, me kancelarin gjerman Olaf Schols që tha se sulmet ruse tregonin se ishte e drejtë të qëndronin të bashkuar dhe të mbështesnin Ukrainën. E megjithatë, analistët mendojnë se Franca në veçanti po e humbet oreksin për një luftë afatgjatë, ndërsa përballet me presion të shtuar në shtëpi. Raketat ruse goditën Kievin, qytetin qendror të Cherkasy, ku një person humbi jetën, rajonin e Kharkiv në verilindje të Ukrainës, dhe po ashtu qytete në veriperëndimore, si Zhytomir dhe Lviv. Në kryeqytet një pallat 9-katësh u përfshi nga flakët pas bombardimit nga forcat pushtuese, me pasojë plagosjen e një 7-vjeçareje e cila u nxor e gjallë nga rrënojat. Ministria e Mbrojtjes në Rusi tha se armë të precizionit të lartë kishin qëlluar qendrat e trajnimit në Ukrainë, duke mohuar shënjestrimin e civilëve. (A2 Televizion)