
Declan Rice po udhëheq West Hamin në një prej sezoneve më të mira të ekipit në historinë e tij. Klubi anglez është klasifikuar për në çerekfinalet e Europa League dhe është në luftë për një nga 4 vendet e para në Premier League.
Me një rendiment të shkëlqyer, kapiteni i West Ham, i cili është edhe titullar i Anglisë, ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha angleze dhe është gati për të hedhur një hap tjetër përpara në karrierë.
Sipas Daily Mail, West Ham e ka vendosur çmimin për 23-vjeçarin dhe ky çmim është 180 milionë euro. Nëse ndonjë klub do ta ofrojë këtë shifër, Declan Rice do të shndërrohet në futbollistin më të shtrenjtë të historisë së Premier League, duke kaluar me 60 milionë euro shifrën e blerjes së Jack Grealish nga Manchester City, verën e kaluar.
Klubi që është i gatshëm ta paguajë këtë çmim të “kripur”, po sipas “Daily Mail”, është Manchester United, që e shikon mesfushorin anglez si zëvendësuesin ideal të Paul Pogba, i cili me shumë mundësi do të largohet nga “Old Trafford” në fund të këtij sezoni me parametër zero. (A2 Televizion)