
Shijaku ishte një nga qytetet më të prekura nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit, ku shumë qytetarë humbën banesat e tyre, ndërsa tashmë u duhet të qëndrojnë të izoluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Në Dita Jonë foli Elton Arbana, Kryetari i Bashkisë së Shijakut, i cili u shpreh se të gjithë personat që humbën shtëpitë e tyre në tërmetin e 26 nëntorit, tashmë marrin bonusin e qirasë. “Asnjë familje në qytetin e Shijakut nuk qëndron në rrugë, të gjithë marrin bonusin e qirasë”, tha ai.
Arbana foli edhe për masat e marra nga bashkia e Shijakut për t’i ardhur në ndihmë pensionistëve në këto ditë të vështira.
“Njerëzit duhet të kuptojnë që duhet të qëndrojnë në shtëpi, pasi është e vetmja mënyrë për ta kaluar këtë pandemi që na ka zënë. Njerëzit e kanë kuptuar që kjo nuk është një shaka dhe janë ndërgjegjësuar deri diku se duhet të qëndrojnë në shtëpi. Që nga dita e parë kur janë evidentuar 2 personat e parë me Covid-19, ne kemi ngritur strukturat e emergjencës për t’iu ardhur në ndihmë personave nën nevojë. Ne kemi 322 pensionistë të vetmuar, për të cilët kujdesemi”, tha Arbana. (A2 Televizion)