Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses një operacion gjatë të cilit u vunë në pranga 3 persona, pjesë e një grupi që vidhte kasafortat në biznese.
Në kuadër të operacionit "Poliklinika" u arrestuan në flagrancë shtetasit: E.M., 33 vjeç, F.Sh. alias F.L., 37 vjeç dhe E.Ç. alias E.H., 38 vjeç, banues në Tiranë (F.L. dhe E.Ç., me precedent penal në fushën e vjedhjes dhe vjedhjes me armë).
Tre personat u arrestuan në orët e para të mëngjesit ndërsa vodhën një kasafortë me rreth 13 milionë lekë në ambientet e Poliklinikës “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Pas verifikimeve dhe hetimeve rezultoi se 3 të arrestuarit janë autorët e grabitjes së kasafortave dhe në biznese të tjera, mes tyre dhe atë të klinikës mjekësore në rrugën e Dibrës, ngjarje e ndodhur më 20 janar të vitit 2020.
Vijon puna, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë në qarqe, për dokumentimin me prova ligjore të rasteve të dyshuara se janë kryer nga ky grup kriminal. (A2 Televizion)