
Tre punonjës fasonerie në Krujë janë ndëshkuar me 700 mijë lekë gjobë, pasi kanë shkelur karantinimin e detyrueshëm.
Masat janë marrë ndaj shtetasve Sh. P., 51 vjeç, banues në Fushë Krujë; O. H., 28 vjeç, banues në Borizanë; A. B., 41 vjeç, banues në Borizanë.
Sipas policisë, këtyre shtetasve, punonjës në një fasoneri në Krujë, e cila është mbyllur me datë 15.04.2020, iu është thënë të vetëkarantinohen, por ata janë konstatuar nga shërbimet e Policisë jashtë banesës së tyre dhe janë ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë.
Gjithashtu nga kontrollet e ushtruara në Krujë, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 5 subjekte (lokale) të hapura, ndaj të cilëve është marrë masë administrative sipas Aktit Normativ, neni 3, pika 7.
Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore Durrës është arrestuar në flagrancë shtetasi B. Z., 31 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në lagjen nr. 8, Durrës, duke lëvizur me mjetin tip "Volkswagen" pa autorizimin përkatës dhe në gjendje të dehur, në masën 0.84 mg/l. (A2 Televizion)