
Ndahet nga jeta në moshën 77-vjeçare një nga ikonat e kinematografisë shqiptare. Rikard Ljarja, aktori, skenaristi e regjisori i dhjetëra produksioneve kinematografike dhe një mjeshtër edhe i skenës teatrale u shua në banesën e tij, pasi vitin e fundit gjendja e tij shëndetësore ka qenë jo e mirë.
E megjithatë, Ljarja nuk u shkëput plotësisht nga jeta aktive dhe po shijonte vitet e tij të pensionit.
Rikard Ljarja la pas një thesar të madh karakteresh, nisur që nga filmat shqiptarë të xhiruar në bardhezi, e deri te produksionet e fundit kinematografike. Ai shkroi skenarin e disa filmave, ndërsa shumë të tjerë janë koncepte regjisoriale të artistit që është skalitur në memorien artistike të shqiptarëve.
Ljarja në karrierën e tij të gjatë ka interpretuar shumë filma, kujtohen filma të dashur nga publiku si, Rrugë të bardha - (1974), Radiostacioni - (1979), Rrethi i kujtesës - (1987) dhe Pranverë e hidhur - (1985).
Prej 1996 deri në 2002, ishte drejtor artistik në televizionin publik shqiptar. (A2 Televizion)