
E ndërtuar në vitin 1995, shkolla 9-vjeçare “Zef Jubani” në njësinë administrative Guri i zi në Bashkinë e Shkodrës, nuk disponon ambientet e tualetit në godinën e shkollës. 170 nxënësit e kësaj shkolle, nga klasa e parë e deri në klasën e 9, duhet të dalin jashtë ambienteve të shkollës për të shkuar në tualet.
Kjo situatë është cilësuar e papranueshme nga prindërit e nxënësve, të cilët e kanë ngritur si shqetësim. “Godina e tualeteve është 50-60 metra nga shkolla. Nuk është normale që fëmijët të dalin jashtë në kushte të ndryshme atmosferike”, thotë një prind.
Ndërkohë, nga drejtoria e shkollës askush nuk pranoi të prononcohej edhe pse vetë mësuesit e kanë shqetësim largësinë e tualeteve nga godina e shkollës, sidomos gjatë periudhës së dimrit. Ndërsa kërkohet që institucionet lokale të marrin masa në lidhje me këtë shqetësim. (A2 Televizion)