
Në periudhën më të vështirë të vitit, tri familje ne fshatin Shtyllë të Korçës kanë mbetur në qiell të hapur. Zjarri u shkrumboi gjithçka kishin, por ngushëllohen me faktin që arritën të shpëtonin njerëzit. Ngjarja u regjistrua në orët e vona të mbrëmjes së të dielës, kur flakët e zjarrit u shfaqën pranë oxhakut të njërës prej banesave, për t’u përhapur me shpejtësi në të tre banesat që ndodheshin në të njëjtën godinë. Përveç vetes së tyre, fëmijëve dhe të moshuarve, 13 banorët nuk arritën të shpëtonin asgjë nga banesat e tyre.
Aktualisht personat janë strehuar tek të afërmit e tyre, ndërsa administratori i zonës premton angazhimin maksimal për t’u ardhur në ndihme banorëve.
Fshati Shtyllë në Vithkuq është një fshat me familje shumë të varfra dhe ku dimri është mjaft i egër, prandaj dhe zgjidhja që duhet të vijë për familjet fatkeqe duhet të jetë shumë e shpejtë. (A2 Televizion)