
Mes zhurmës së vuvuzelave e letrave që griseshin në sallë, mes thirrjeve për tradhti e protestave jashtë godinës së Parlamentit, ligjvënësit në Maqedoninë e Veriut, kaluan këtë të shtunë me 68 vota pro, në kuvendin me 120 deputetë, planin francez, marrëveshja që pritet t’i hapë rrugë bisedimeve për anëtarësim, Shkupit dhe Tiranës zyrtare.
Edhe pse për gati 2 orë këtë të shtunë, në ditën e tretë të diskutimeve mbi formulën e zgjidhës së mosmarrëveshjeve me Bullgarinë fqinje, të propozuar javë më parë nga shefi I Elizesë, Emmanuel Macron, opozita maqedonase zhurmoi sallën në shenjë proteste dhe e braktisi atë, në momentin e votimit.
86 vota pro, mjaftuan për të nisur, nga java e ardhshme, një tjetër kapitull, në rrugën e gjatë të integrimit europian për Maqedoninë e Veriut e Shqipërinë, me deputetët e qeverinë në këmbë, duke duartrokitur rezultatin, me flamujt maqedonas e europian në duar.
Sipas marrëveshjes, korniza ligjore se të cilës tashmë kaloi në parlament, propozohet që në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut të amendohet njohja e minoritetit bullgar, ndërsa çështjet e tjera të mbetura pezull do të diskutohen në vijim mes Shkupit dhe Sofjes. Në këmbim të kësaj marrëveshjeje, Bullgaria nga kjo e shtunë lejon zyrtarisht fqinjin e saj që të nisë bisedimet e anëtarësimit me BE, siç është zotuar prej muajit qershor.
Maqedonia e Veriut, dikur pjesë e Jugosllavisë, është vend kandidat për në BE prej 17 vitesh dhe në vitin 2019 ndryshoi zyrtarisht edhe emrin e saj, në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet me Greqinë, e cila ka një provincë me po të njëjtin emër. (A2 Televizion)