
Shmanget tragjedia me refugjatë në Greqi. 41 emigrantë të paligjshëm, të fshehur brenda një kamioni frigoriferik janë zbuluar dhe shpëtuar nga policia lokale në afërsi të Selanikut. Sipas raportimeve, gjendja e tyre ishte mjaft kritike dhe gjendeshin në limit të mbytjes për shkak të mungesës së ajrit.
Policia greke bëri me dije se shumë prej emigrantëve vinin nga Afganistani. Të gjithë ishin meshkuj të moshës nga 20 deri në 30 vjeç. Destinacioni i tyre besohet të ketë qenë ndonjë shtet i Bashkimit Europian. Për këtë ngjarje, autoritetet kanë ndaluar shoferin e kamionit, një shtetas nga Gjeorgjia, i cili akuzohet për trafik të qenieve njerëzore.
Ndërsa një tjetër shtetas turk është shpallur në kërkim pasi u arratis gjatë kontrollit nga policia. Ngjarja vjen disa ditë pas tragjedisë ku humbën jetën 39 emigrantë në brendësi të një kamioni të zbuluar në Britani. (A2 Televizion)