
Skandali me provimin e gjuhës italiane të Suarez, që do t’i mundësonte uruguaianit nënshtetësinë italiane, nuk po zbehet edhe pas transferimit të sulmuesit tek Atletico Madrid.
Disa prej përgjimeve të pedagogëve që duhet të testonin futbollistin e njohur nënkuptojnë një ndërhyrje të kuadrove të Juventusit, që ishte e interesuar për blerjen e lojtarit të njohur, për të lehtësuar kalimin e provimit.
Sot ka reaguar edhe Codacons, shoqata e Konsumatorëve italianë, që me anë të presidentit të saj Marco Donzetti i ka kërkuar federatës së futbollit rigorozitetin maksimal ndaj çështjes.
“Po të dëshmohet përfshirja direkte e klubit bardhezi, me objektivin e trukimit të provimit për nënshtetësinë italiane, duke parë edhe interesat e mëdha financiare në lojë, klubi duhet dënuar rëndë. Sipas normës 32 të Kodit Sportiv, do të kërkonim përjashtimin e Juventusit nga Serie A”.
Nga provat e deritanishme, gjithsesi, pak gjasa ka që një përfshirje e tillë të dokumentohet, dhe tifozët juventinë mund të flenë të qetë, pro pa dyshin episodi ka vënë në dritë të keqe autoritetet italiane, që në rastin e personave “të zakonshëm”, shpesh herë vonojnë me vite praktikat për nënshtetësinë. (A2 Televizion)