Shpallet fajtor kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj

Nga A2 CNN
2 Shkurt 2023, 14:00 | Kronikë
Shpallet fajtor kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj

Gjykata e Posaçme vulosi një vendim fajësie për një kryebashkiak në detyrë. Drejtuesi i Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj, u gjet fajtor për akuzën e “falsifikimit të formularëve”. Ai u dënua me 6 muaj burg, dënim që u ul në 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Në përfundim, dënimi u konvertua në Shërbim Prove, duke detyruar kryebashkiakun në kryerjen e 40 orëve punë të papaguar në interes të publikut. Referuar vendimit, GJKKO e vlerësoi të bazuar akuzën e SPAK, se Ismailaj nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit një dënim fajësie nga drejtësia greke 23 vjet më parë.

Ismailaj ishte i pranishëm gjatë leximit të verdiktit që i la një barrë dënimi mbi supe, ndërsa jashtë gjykatës paralajmëroi vazhdim të betejës ligjore. “Vendimi i dhënë sot nga gjykata nuk sjell asnjë pasojë ligjore lidhur me ushtrimin e funksionit tim në shërbim të qytetarëve mallkastriotë në pozicionin e kryetarit të bashkisë, ashtu si edhe në karrierën time në të ardhmen. Duke qenë i bindur në pafajësinë time të plotë, por edhe duke ndjekur të gjitha procedurat për respektimin e të drejtave të njeriut, do të vazhdoj betejën në të gjitha shkallët e sistemit të drejtësisë”, tha Ismailaj.

Para se të merrej i pandehur nga SPAK, Ismailaj u akuzua nga Partia Demokratike për fshehje të dënimit të tij në Greqi. Pas zgjedhjes së tij në krye të Bashkisë Mallakastër në zgjedhjet vendore të vitit 2019, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e konfirmoi në detyrë, vendim që u la në fuqi edhe nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Më herët Gjykata e Posaçme ka fajësuar për “shpërdorim detyre” dhe dënuar me 120 orë punë në interes publik ish-kryebashkiaken e Gjirokastrës, Zamira Rami dhe me 2 vjet e 4 muaj burg, ish-kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. I pandehur në këtë gjykatë është edhe ish-kryebashkiaku i Pogradecit, Eduart Kapri, i akuzuar për abuzim me një tender. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos