
Pandemia e Covid-19 detyroi të gjithë botën të rrisë ndjeshëm shpenzimet për shëndetësinë, për të trajtuar të prekurit nga koronavirusi. Edhe në vendin tonë, sipas një raporti të OECD mbi impaktin e virusit në Shqipëri, qeveria angazhoi të paktën 14.2 miliardë lekë, apo mbi 117 milionë euro, për kurimin, pajisjet mjekësore, rritjen e pagave për stafin mjekësor dhe paketat e pagave të luftës. Por edhe në këtë rast, sipas ekspertit për menaxhimin shëndetësor, Erion Dasho, ndërhyrja në shëndetësi ka qenë e cunguar dhe nuk do t’i shërbejë sistemit pas përfundimit të pandemisë.
Shëndetësia në Shqipëri vuan nga mungesa e stafit mjekësor, pajisjeve dhe kushteve të nevojshme spitalore. Shifrat raportojnë se aktualisht në vend për 1000 banorë përgjigjen 1.2 mjekë, një shifër kjo 14% më e ulët krahasuar me vitin 2000 dhe shifra më e ulët krahasuar me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Shëndetësia vazhdon t’i kushtojë shumë edhe xhepave të qytetarëve, ku për thuajse çdo vizitë dhe trajtim mjekësor, ata paguajnë edhe nëse janë të siguruar.
Një individ i punësuar me pagë mesatare i paguan çdo vit shtetit në formën e kontributeve shëndetësore rreth 36 mijë lekë, ndërkohë që shpenzimet nga shteti për frymë për shëndetësinë rezultojnë më pak 23 mijë lekë në vit. (A2 Televizion)