Ardian Hajdari merret i pandehur nga SPAK për mosdeklarim pasurie

Nga A2 CNN
27 Janar 2022, 15:47 | Aktualitet
Ardian Hajdari merret i pandehur nga SPAK për mosdeklarim pasurie

Pasi provoi para gjykatës akuzën penale ndaj ish-gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, Prokuroria e Posaçme, SPAK, merr të pandehur një tjetër gjyqtar të shkallës së dytë të vetingut.

Këtë herë, hesape me ligjin ka gjyqtari Ardian Hajdari, pjesëmarrës dhe dhjetëra kolegje që kanë dhënë vendime mbi fatin e gjyqtarëve e prokurorëve në veting. Këtë të enjten ai ishte i pranishëm në SPAK, ku iu komunikua akuza e “fshehje të të ardhurave dhe mosdeklarim i pasurisë”.

Burime të besueshme pranë SPAK konfirmuan se ka dyshime se Hajdari e ka bërë deklarim të pasaktë të pasurisë që ka krijuar si avokat, para se të bëhej anëtar i KPA.

https://www.youtube.com/watch?v=SPltX5Z5IsM

Hajdari u hetua për disa muaj nga SPAK, pas një kallëzimi të dy ish-prokurorëve Antoneta Sevdari e Elsion Sadiku dhe një ish-gjyqtarit, Ervin Metalla, të tre të shkarkuar nga procesi i vetingut. Ata pretenduan se Hajdari kishte falsifikuar një nga dokumentet me të cilat kishte aplikuar për të qenë pjesë e KPA, si edhe nuk kishte deklaruar në ILDKP disa prej të ardhurave të fituara nga avokatia.

Pas marrjes së cilësisë së të pandehurit gjyqtari Hajdari pritet të pezullohet nga detyra. Hajdari është i dyti në radhën e trupës së KPA, që përballet me akuza nga SPAK. Më herët, ish-anëtari Luan Daci u akuzua për “falsifikim të dokumenteve”, akuzë për të cilën u fajësua më vendim të formës së prerë nga gjykata, vendim që i kushtoi më pas shkarkimin nga detyra. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos