
Është zbardhur ngjarja e ndodhur, mëngjesin e djeshëm, në Sarandë, si dhe është identifikuar e arrestuar autori i dyshuar i shpërthimit dhe shkatërrimit me eksploziv të hotelit që babai i tij kishte në bashkëpronësi me një shtetas tjetër.
Palët ishin në proces gjyqësor prej disa vitesh, për ndarjen e pronësisë mbi këtë hotel.
Autori është 36-vjeçari me inicialet S.Ç. Ky shtetas, mëngjesin e djeshëm, në lagjen nr. 1, Sarandë, dyshohet se ka vendosur një sasi lënde eksplozive në hotelin që babai i tij, shtetasi S. Ç., 63 vjeç, kishte në bashkëpronësi me shtetasin E. Dh., për shkak të një procesi gjyqësor që kishin 63-vjeçari dhe shtetasi E. Dh., proces i nisur që në vitin 2002, dhe në përfundim të të cilit, pjesa më e madhe e këtij hoteli do të kalonte në pronësi të shtetasit E. Dh.
Si pasojë e shpërthimit me eksploziv, u shkatërrua plotësisht hoteli i ndërtuar në vitin 1996 dhe gjithashtu u shkaktuan dëmtime të fasadave të objekteve të tjera në afërsi të hotelit.
Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk pati asnjë shtetas të dëmtuar. (A2 Televizion)