Të paktën 6 viktima dhe 53 të plagosur ka shkaktuar shpërthimi në një zonë të populluar në qendër të Stambollit. Lajmin e ka bërë të ditur guvernatori i qytetit turk.
Ali Yerlikaya theksoi se shpërthimi ka ndodhur në orën 16:20 me orën lokale, në zonën e sheshit Taksim.
Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi shpërthimin.
"Fatkeqësisht, në shpërthimin që ndodhi sot në rrugën Istiklal, numri i të vdekurve është rritur në 6 dhe numri i të plagosurve në 53. I urojmë mëshirën e Zotit për ata që humbën jetën dhe shërim të shpejtë të lënduarve. Zhvillimet do te ndahen me publikun", shkroi guvernatori në Twitter. (A2 Televizion)