
Komisioni i Ligjeve ka miratuar projektligjin, ku hidhen bazat për krijimin e Agjencisë Shtetërore të Shpronësimeve për pronarët që preken nga ndërtimi i projekteve me interes publik.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se ngritja e kësaj strukture të specializuar do trajtojë kërkesat për shpronësimet dhe do të shmangë gjyqet për vlerësimin e pronave.
“Ne nuk do të kemi më një konflikt, pasi të gjithë institucionet e tjera zhvishen nga përgjegjësia dhe ekspertiza e shpronësimeve”, tha Belinda Balluku, Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. “Me krijimin e kësaj agjencia ne sigurojmë shkurtimin e kohës, zhvillimin e negociatave dypalëshe, duke ulur ndjeshëm numrin e çështjeve gjyqësore dhe e treta shteti do të ketë një faturë të qartë financiare për shpronësimet para se të nisë punimet”.
Por, krijimi i kësaj strukture të re nuk i jep fund problematikës së vjetër të çmimeve të shpronësimit të pronave, që është shndërruar shpesh në një nga pengesat kryesore për vonesat e përfundimit të projekteve infrastrukturore.
“Për shkak të një marrëdhënie njëpalëshe gjatë procesit të shpronësimeve, ne kemi qen të detyruar të përballemi me më shumë se 400 çështje ta hapura, që vjen edhe nga mospranimi i shumës që është caktuar për shpronësimet, pasi nuk vendoset nga ministria”, tha Balluku.
Agjencia Shtetërore e Shpronësimeve do të nisë punën brenda vitit 2020 dhe do jetë nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës, ndërsa do të jetë Këshilli i Ministrave ai që do të përcaktojë edhe strukturën e saj. (A2 Televizion)