
Qeveria shqiptare do të nënshkruajë sot një marrëveshje me OBSH-në për të forcuar kapacitetet, për të kontrolluar epideminë dhe për të forcuar inovacionin dhe digjitalizimin në përmirësimin e aksesit në shërbimet spitalore. Lajmi u dha nga ministrja Manastirliu në konferencën ë përbashkët për shtyp me drejtorin e OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.
Ministrja Manastirliu, njoftoi se Shqipëria është bërë pjesë për herë të parë e një studimi për trajtimin e COVID-19.
“Shqipëria është bërë pjesë e një studimi për trajtimin e Covid-19, me OBSH-në dhe jemi duke punuar me ekspertë ndërkombëtarë të barabartë me ta. Për herë të parë, bëhemi pjesë e një studimi klinik të këtij niveli. Qeveria ka marrë angazhimin për të nënshkruar bashkëpunimin me Covax.
Sot, firmosin një marrëveshje të rëndësishme, nuk është ajo që kemi firmosur çdo dy vjet, por sepse situata që jemi sot na drejton drejt një angazhimi real që çfarë themi në letër ta bëjmë realitet. Kjo marrëveshje është një angazhim real për të forcuar kapacitetet, për të kontrolluar epidemitë, për të forcuar inovacionin dhe digjitalizimin me qëllimin e një popullate të shëndetshme dhe për të përmirësuar aksesin në shërbimet mjekësore.
Viziata e dr. Kluge përkon me një marrëveshje kaq të rëndësishme në këtë moment shumë kritik për të gjithë botën mbarë dhe që do të jetë një udhëzues për të gjithë ato veprime, hapa që do të marrim nga sot dhe në vijim, duke mbajtur në vëmendje objektivin tonë: mbulim universal dhe shëndet për të gjithë qytetarët”, u shpreh Manastirliu.
Në vijim të fjalës së saj, Manastirliu theksoi se për të përballuar situatën e pandemisë në vend janë gati edhe 3 skenarë të tjerë që kanë të bëjnë me përfshirjen e spitaleve rajonale në trajtimin e të sëmurëve me Covid-19.
“Strategjia e vjeshtë-dimrit janë udhërrëfyes të rëndësishëm për të adresuar të gjitha nevojat në përgjigje të situatës së epidemisë për të forcuar kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor edhe përgjatë kësaj faze pa harruar se detyra jonë është të kujdesemi për të gjithë ata që kanë nevojë për kujdes thelbësor esencial që marrin shërbime në strukturat tona. Përtej gjithë punës që po bëhet për të përballuar këtë epidemi. Ndaj në asnjë moment ne nuk kemi lënë askënd pas dore. Jemi kujdesur të vijojmë programet tona me përmirësimet e investimet në sistem, sikurse jemi fokusuar në forcimin e kapaciteteve për të përballuar situatat që mund të vijnë përgjatë vjeshtë-dimrit. Kemi rritur testimet 4 herë, kemi rritur kapacitetet spitalore, 550 shtretër të dedikuar, kemi 3 skenarë të përfshirjes së spitaleve rajonale që e çojnë në 1600 shtretër të pajisur dhe duke vijuar trajnimin e personelit shëndetësor.
Puna në sistemin shëndetësor nuk ka ndaluar asnjëherë, prioritet tona nuk janë lënë pas dore, vëmendja jonë është te njerëzit e qytetarët, tek ata që kanë nevojë të parandalojnë.
Pjesë e strategjisë sonë ka qenë edhe sigurimi i vaksinës së gripit falas, 368 mijë qytetarë pjesë e grupeve të riskuara, duke përfshirë mjekët e infermierët, gjithë ekipi ynë në azile dhe personat me aftësi të kufizuara”. (A2 Televizion)