
Deputetja socialiste, njëkohësisht edhe mjeke, Klodiana Spahiu, ka folur në studion e Ditari, në A2 CNN, për situatën e pandemisë në vendin tonë dhe problemet me të cilat përballet shëndetësia dhe qytetarët.
Duke e cilësuar të vështirë situatën, Spahiu nuk pranon ta quajë katastrofë, por thotë se numri në rritje i rasteve ishte parashikuar.
“Është situatë shumë e vështirë, janë situata që ndodhin një herë në 100 vjet. Të thuash që jemi apo jo në katastrofë unë si mjeke nuk do të doja kurrë ta pranoja. Duhet ta shohim në aspekt tjetër, të dimë sa janë mundësitë e kapacitet tona. E vërtetë që numri është në rritje, krahasuar me dy- tri javë më parë, por ky trend do të vazhdojë. Ne i kishim parashikuar këto shifra, madje më të larta. Ne duhet të përpiqemi ta shohim si situatë që do ta përballojmë e do t’ia dalim”.
Sipas Spahiut, Durrësi është qyteti i dytë pas Tiranës me numër më të lartë rastesh aktive. Ajo thotë se situata është shumë e vështirë për personelin, pacientët dhe familjarët, ndërsa shton se mirëkupton qytetarët dhe ankesat e tyre.
“Durrësi po përballet me numër të lartë rastesh, jemi qyteti i dytë pas Tiranës dhe fluksi është shumë i lartë, është situatë e vështirë për personelin, pacientët dhe familjarët. Unë si mjeke ndjehem në borxh karshi atyre që e vuajnë këtë situatë. Sporti është maksimal në lidhje me çfarë mund të shërbehet në spitale e çfarë ofron mjeku i familjes. 90% e rasteve kalohet në shtëpi, i mirëkuptoj qytetarët dhe ankesat e tyre. Situatat janë nga më të ndryshmet, por do të theksoja solidaritetin që duhet të na bashkojë të gjithëve. Ne do të dalim me paketë mbështetëse me familjet në nevojë dhe ata që kanë të sëmurë covid”.
Por ajo që vëren Spahiu është abuzimi me fillimin e parakohshëm të mjekimit, i cili nuk jep efekt kur duhet, në ditën e 10 apo 11.
“Sipas të gjitha kritereve dhe protokolleve ne duhet të jemi të kujdesshëm në mjekim se kemi vënë re që ka abuzim të shtuar me rifillimin e parakohshëm të medikamenteve. Nëse i fillojmë përpara, efekti i tyre kur duhet në ditën e 10 e 11, nuk kanë më efekt. Nuk kemi pse të rëndohemi me receta të rënda jo vetëm ekonomikisht, por që nuk japin as efektin e duhur. Ajo që po ndodh është e dëmshme. Shpresoj që ta kemi kaluar situatën më të vështirë. Jam e lumtur për vaksinën dhe që u bëmë pjesë e Covax dhe atij projekti europian”.
Ajo pranoi vonesat në përgjigjet e tamponëve dhe i quajti sfidë me Ministrinë e Shëndetësisë testet e shpejta, por shtoi se numri i testimeve është rritur krahasuar me disa muaj më parë.
“Ne duhet të pranojmë disa fakte të rëndësishme që para disa muajve ishim me 500 testime. Sot, jemi me 3 mijë, testet e shpejta, të gjitha këto janë sfida sidomos për Ministrinë e Shëndetësisë dhe të gjitha këto bëhen sipas udhëzimeve të Komitetit të Ekspertëve. Gjykojnë ata që përgatisin strategji për këtë punë ka pasur vonesa në përgjigjen e tamponëve”.
Sa u takon masave shtrënguese, mendimi i Spahiut është për masa më drastike për të parandaluar përhapjen dhe për të mbrojtur atë 10 % të njerëzve. Sipas saj, duhet të nisë puna në spitalet rajonale për të kuruar pacientët me Covid, që të ketë mbyllje drastike.
“Kam pasur opinion për masa më drastike, kam propozura që ta bënim maskën të detyrueshme. Vendimi i mbajtjes së maskës dhe në ambiente të jashtme duhej marrë më parë, dhe mbajtja e maskës ul shkallën e infektimit Bllokimi nga 22:00-06:00, unë do të isha për një vendim më drastik. Nëse kemi një mbyllje që në orën 6 do jetë një numër më i kufizuar rastesh të reja.
E gjithë lufta jonë e përbashkët bëhet për atë 10 % të njerëzve për të frenuar komplikacionet vdekjeprurëse që jep ky virus. Unë nuk besoj që do shkojmë drejt një rimbyllje, ndoshta rimbyllje në zona të caktuara. Nuk besoj në rimbyllje totale se përpjekja është të përballojmë këtë fazë të vështirë jo përmes rimbylljes.
Të fillojmë punën në spitalet rajonale për të kuruar pacientët me covid që të mos arrijmë në mbyllje drastike”. (A2 Televizion)