
Përgjysmë të kënaqur. Ky ishte reagimi pas shortit të Kombëtares në Ligën e Kombeve. Rusia ishte një prej rivalëve që trajneri Edy Reja donte të evitonte, teksa Islanda dhe Izraeli janë dy kundërshtarë që ende duhen zbuluar për potencialin që kanë.
“Doja të shmangia Serbinë, sepse është një skuadër shumë e fortë. Edhe Rusia është shumë e fortë dhe doja ta evitoja, por është e qartë që një prej këtyre skuadrave të forta do të na binte në grup. Islandën nuk e njohim mirë, pasi ka ndryshuar shumë dhe ka bërë një ekip me shumë futbollistë të rinj. Është një grup i vështirë, ashtu si të gjithë të tjerët në Ligën B, por ne jemi të bindur që mund të bëjmë mirë. Më vjen keq vetëm sepse ka disa transferta të largëta si Rusia e Islanda, por uroj që të mos i kemi këto udhëtime njëra pas tjetrës”, tha trajneri.
Kur pyetet për objektivat, drejtuesi i stolit kuqezi shfaqet disi i rezervuar, duke theksuar se Kombëtarja synon të evitojë vendin e fundit dhe zbritjen në Ligën C. “Në tërësi jam i kënaqur. Objektivi primar është të mos dalim të katërt, më pas do të shohim se deri ku do të shkojmë. Po ndjek skuadrat, por ende nuk e di se cila është më e forta dhe cilën duhet të kemi frikë. Luhen katër ndeshje në harkun e pak ditëve dhe sigurisht që askush nuk mund t’i përballojë të gjitha. Duhet të ndryshojmë komplet skuadrën nga ndeshja në ndeshje, ndaj duhet të studiojmë një strategji si do t’i përballojmë këto sfida. Në qershor 2022, do të më bëhej qejfi që lojtarët të mos luanin shumë, mbi të gjithë futbollistët më të rëndësishëm”.
Deklaratat e Rejas kanë shkaktuar jo pak ngatërresë, edhe sepse ato nuk janë në sinkron me pretendimet e federatës, që i ka vendosur si objektiv minimal vendin e dytë, e madje i kërkon edhe fitimin e grupit. “I kemi mundësi të arrijmë çdo rezultat. Objektivi real është vendi i dytë, por nuk është i pamundur edhe vendi i parë. Skuadra duhet të përgatitet për një kompeticion shumë më të vështirë se sa ai i kaluari në grupin C”, tha presidenti Armando Duka. (A2 Televizion)