
Edmond Spaho, sekretar për integrimin europian në PD, ishte i ftuar në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN nga ku foli për protestën e 7 korrikut.
Spaho u shpreh se protesta nuk do të drejtohet nga një parti politike, pasi sipas tij, do të jetë shumë e gjerë se kaq.
““Shqipëria në rrezik” është slogani i protestës, i cili tregon se është përtej PD-së. Momenti në të cilin ndodhemi ne si shoqëri është mjaft kritik. Kjo nuk është rrjedhojë vetëm e opozitës të marrë fatet e vendit në dorë, por e të gjithë qytetarëve.
Fakti që këtë protestë nuk do ta drejtojë një parti politike apo opozita, por pjesë e saj do të jenë shoqëria civile, bota akademike, segmente të tjerë që janë të interesuar që vendi të ndryshojë, është në favor të kësaj që shpjegova më sipër”.
Baza e PD në protestë
“Kam theksuar se në bazë nuk ekziston ajo ndarje që kemi në grupin parlamentar, ku mesa duket do të dojë më shumë kohë të gjenden gjuha e bashkëpunimit. Në bazë po kthehemi në gjendjen ku të gjitha strukturat funksiononin në mënyrë harmonike. Protesta, si një armë e përhershme e PD, i ka shtrirë edhe më tej urat e komunikimit”, tha Spaho. (A2 Televizion)