E rëndë në Kukës, nxënësi i mitur plagoset pranë ambienteve të shkollës

Nga Ervin Mehmeti
17 Shkurt 2026, 09:49 | Aktualitet

E rëndë në Kukës, nxënësi i mitur plagoset

Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e hënë në Kukës, ku një nxënës 11 vjeç ka mbetur i plagosur pranë ambientit të shkollës së tij.

Sipas informacioneve paraprake, incidenti ka ndodhur në afërsi të godinës së ish-shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri” cila aktualisht është në proces rikonstruksioni nga një firmë ndërtimi.

Ngjarja ka ndodhur në momentin kur i mituri po përpiqej të merrte topin pranë kantierit të ndërtimit. Në atë çast, nga kati i tretë i godinës janë hedhur materiale inerte, të cilat e kanë goditur nxënësin, duke i shkaktuar plagë dhe dëmtime që kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.

I mituri është transportuar fillimisht në urgjencën e spitalit rajonal të Kukës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Për shkak të gjendjes shëndetësore dhe dëmtimeve, ai është dërguar më pas me urgjencë drejt Spitali i Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për një punonjës të firmës që po kryente punimet. 

"K. K., 26 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Plagosja e lehtë nga pakujdesia”, punonjës i firmës që po kryen punimet për rikonstruksionin e një objekti pranë shkollës së mesme në qytetin e Kukësit, pasi dje, gjatë kohës që ka hedhur inerte, është dëmtuar një nxënës 11-vjeç, i cili kishte kaluar perimetrin e sigurisë. Ai po merr mjekim në Spitalin e Traumës dhe nuk ka probleme për jetën", thuhet në njoftimin e Policisë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos