
Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia Vladimir Gjutën dhe Myrvete Rexhmati Gjuta. Të dy u arrestuan pas vetëplagosjes së një 18-vjeçare në hotelin në pronësi të familjes Gjuta në Sauk.
Ndaj tyre u caktua masa e "detyrimit për paraqitje". Ndërkaq për të Erisjaldo Gjutën, të dashurin e të resë, gjykata caktoi masën "arrest në burg".
Në spital e reja, e identifikuar me emrin Natali Murati, që kishte marrë një plumb tjeshkues në kraharor, u dërgua nga dy familjarë të të dashurit 22-vjeçar, Erisjaldo Gjuta, që i thanë punonjësve të policisë se e kishin gjetur të plagosur në rrugë pranë rreth-rrotullimit të Fakultetit Ekonomik.
Ndërsa vetë e lënduara tha se ishte vetëplagosur. Pas veprimeve të para hetimore, policia ngriti dyshime për një tjetër version të ngjarjes, çka çoi në arrestimin e 2 anëtarëve të familjes Gjuta dhe shpalljen në kërkim të 3 të tjerëve, të dyshuar për “moskallëzim të krimit” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Policia do të arrestonte Vladimir Gjutën, xhaxhai i të dashurit të 18-vjeçares, person me precedentë të mëparshëm penale dhe Mirvete Rexhmati (Gjuta) nëna e të riut. Nga hetimi ka rezultuar se vajza ishte plagosur në një nga dhomat e hotelit. E reja pretendoi se kishte qenë vetëm në dhomën e hotelit, kur kishte qëlluar veten duke thënë se “kishte bërë shumë gabime në jetë’.
Dyshohet se pasi e kanë gjetur të plagosur, dy nga anëtarët e familjes Gjuta e kanë dërguar në QSUT, por të porositur të mos tregonin që u plagos në hotel. Nga ana tjetër, dyshohet se Vladimir Gjuta dhe të tjerët kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe po ashtu fshehur armën me të cilën është plagosur e reja. (A2 Televizion)