113 vjet shtet shqiptar, pavarësia festohet edhe në Kinë, kërkohet rritje e bashkëpunimit mes dy vendeve

Nga Ervin Koçi
27 Nëntor 2025, 15:25 | Aktualitet

Në një ceremoni festive të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kinë, u përkujtua 113-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe 76-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Të pranishëm në aktivitet ishin zv/ministrja e Punëve të Jashtme të Kinës, ambasadorë dhe përfaqësues të trupit të huaj diplomatik.

Në fjalën e tij, Ambasadori i Shqipërisë në Pekin, Riza Poda, theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, me fokus në bashkëpunimin ekonomik dhe turizmin.

“Bashkëpunimi ekonomik është një shtyllë qendrore. Kina ka qenë partneri ynë i dytë më i madh tregtar për tre vjet rresht. Numri i vizitorëve kinezë në Shqipëri është rritur me 107% gjatë dy viteve të fundit. Negociatat për fluturime direkte midis Kinës dhe Shqipërisë janë aktualisht në zhvillim e sipër, ndaj shpresojmë që ato të fillojnë së shpejti me mbështetjen e zonjës Hua”, tha Poda.

Në fjalën e saj, zv/ministrja e Jashtme e Kinës, Hua Chunying, vlerësoi qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj marrëdhënieve me Kinën dhe rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë kineze për projektet e bashkëpunimit me Shqipërinë.

“Pala kineze vlerëson shumë deklaratat pozitive të Kryeministrit Rama në lidhje me zhvillimin dhe rolin e Kinës, si dhe qëndrimin e tij të qartë në mbështetje të hapjes dhe bashkëpunimit. Kina është e gatshme të forcojë mbështetjen e ndërsjellë me Shqipërinë dhe të jetë një partnere e besueshme në rrugën e modernizimit të secilit vend”, tha Hua Chunying.

Aktiviteti u pasurua edhe nga performancat artistike të tenorit Armaldo Kllogjeri, instrumentisteve Kristina Petrollari dhe Dorina Laro, si edhe valltarët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos