Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, që qëndron në paraburgim prej muajit shkurt, pretendon se po i mohohet e drejta për një mbrojtje efektive, pasi SPAK nuk po i ve në dispozicion dosjen hetimore.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, avokatët e Veliajt, pohuan se SPAK ka refuzuar kërkesën e kryebashkiakut për një kopje fizike të akteve të dosjes. Sipas mbrojtësve, kërkesa e Veliajt është refuzuar me argumentin se dokumentet i janë dorëzuar avokatëve me anë të një USB-je.
“Një USB, e cila në kushte e izolimit ku ndodhet aktualisht z. Veliaj, në mungesë të plotë të aksesit në pajisje elektronike është praktikisht e papërdorshme për të, dhe as ne nuk jemi në gjendje t’ia dërgojmë të gjitha aktet, për shkak të volumit të lartë të tyre”, nënvizonin në reagim avokatët e Veliajt.
Po sipas avokatëve, SPAK vijon t’i refuzojë kryebashkiakut takimin me avokatët e tij ndërkombëtarë, që po i përgatisin çështjen për në Strasburg.
Prej gati një muaji, kryebashkiaku Veliaj është marrë i pandehur nga SPAK për “korrupsion”, “pastrim të parave”, “fshehje të pasurisë” dhe “futje të sendeve të ndaluara në burg”, ndërsa SPAK ka afat deri në 29 shtator për depozitimin e dosjes në gjyq.
Me herët, në një tjetër çështje penale, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u përplas me SPAK deri në gjykatë, për aktet e “Sterilizimit”.
Beqaj kërkoi dosjen, por refuzoi të paguante tarifën prej gati 1 mln lekë për marrjen e saj të printuar. Gjatë shqyrtimit paraprak, gjykata detyroi SPAK t’ia vendoste në dispozicion të gjithë volumet e dosjes në version elektronik dhe pa pagesë. (A2 Televizion)